E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari për ATSH: “Smart City” nis me 20 shkolla, siguri dhe monitorim në kohë reale

TIRANË, 3 prill /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se projekti “Smart City” përfaqëson një qasje të re dhe inovative për rritjen e sigurisë në Shqipëri, duke nisur fillimisht me shkollat dhe më pas me sigurinë rrugore.

Në përgjigje të interesimit të ATSH, Lamallari theksoi se, projekti mbështetet në përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të rritur efikasitetin e forcave të rendit.

“Projekti ‘Smart City’ është një projekt tërësisht inovativ për Shqipërinë, në kuptimin e qasjes ndaj sigurisë në vend. Përdorimi në avantazhin tonë i teknologjisë më të fundit përfshin jo vetëm kamera, detektorë dhe elementë të tjerë që përthithin sinjale të ndryshme që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë, por edhe aspektin softuerik që përdor inteligjencën artificiale për përpunimin e këtij informacioni dhe vënien e tij në shërbim të punonjësve të policisë, për dislokimin e trupave dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda, si dhe për të garantuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit”, u shpreh ai.

Ministri nënvizoi se një ndër prioritetet kryesore është siguria në shkolla, duke bërë të ditur se projekti do të nisë me një fazë pilot në 20 institucione arsimore.

“Këto javë kemi pasur ekipin zbatues në Shqipëri, të cilët po vizitojnë 20 shkolla që do të nisin si projekt pilot. Fokusi ynë është që ta shtrijmë këtë projekt në nivel kombëtar, pasi kudo që ka shkolla dhe të mitur, ka edhe prindër të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre. Për ne është prioritet garantimi i kësaj sigurie dhe nisja e zbatimit nga shkollat”, deklaroi Lamallari.

Ai bëri të ditur se projekti po zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, duke përfshirë stafin pedagogjik dhe përshtatjen e infrastrukturës në terren.

“Gjithashtu, ka pasur bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për vënien në dispozicion të ambienteve dhe koordinimin me stafin pedagogjik, në mënyrë që të përcaktohet vendosja e kamerave dhe përpunimi i informacionit. Kjo synon të parandalojë incidente të rënda, ku nxënësit mund të përdorin elementë që përbëjnë rrezik për njëri-tjetrin. Këto janë ngjarje shumë të rënda që kanë tronditur opinionin publik dhe nuk mund të lejohen të vijojnë”, tha ministri.

Prandaj, shtoi Lamallari, “zbatimi sa më i shpejtë i projektit “Smart City”, duke filluar nga shkollat e më pas me sigurinë rrugore dhe fusha të tjera, është prioritet për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Puna po vijon çdo ditë në bashkëpunim me ekipin zbatues dhe pritet që së shpejti të jepen lajmet e para për fillimin konkret të zbatimit”.

Ai shtoi se një element kyç i projektit është ngritja dhe funksionalizimi i Qendrës së Komandës dhe Kontrollit, e cila do të mundësojë monitorim të integruar dhe në kohë reale.

“Është marrë vendim për të shfrytëzuar dhe kombinuar kapacitetet aktuale të Policisë së Shtetit për monitorimin e trafikut, duke integruar edhe komponentët e rinj të projektit ‘Smart City’, në mënyrë që të bëhet i mundur një kontroll në kohë reale i trafikut dhe i sjelljes së drejtuesve të mjeteve në përputhje me ligjin”, deklaroi ai.

Lamallari u shpreh optimist për efektet që pritet të sjellë projekti në rritjen e sigurisë në vend, teksa shprehu bindjen që kjo do të reflektohet shumë shpejt në të dhënat e raportuara, në drejtim të përmirësimit të sigurisë rrugore.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›