Pezullohen nga detyra shtatë punonjës policie, Hita: Zero tolerancë ndaj kultivimit të drogës

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra pasi nuk përmbushën detyrat funksionale në rastin e kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin.
Lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19 mars 2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit filloi hetim disiplinor për shtatë punonjësit e Policisë.
Konkretisht u pezulluan nga detyra Komisar Altin Gusho, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin; Komisar Danjel Kacaniku, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin; Nënkomisar Sefer Dushku, me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin; Inspektor Muharrem Zylyfi, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin; Nënkomisar Bilbil Lita, ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll; Komisar enis Sinani, ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll; Inspektor Arben Koseni, ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës u konstatuan mangësi gjatë përmbushjes së detyrës.
Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.
Drejtori Hita u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.
“Zero tolerancë ndaj kultivimit të drogës”, u shpreh Hita.
Policia e Shtetit shpreh vendosmërinë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari.
/m.m/a.f/