E Diel, 1 Nëntor 2026

Lara Colturi siguron vendin e tretë në Copper Mountain, SHBA

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Skiatorja shqiptare Lara Colturi ka arritur një tjetër rezultat të shkëlqyer në garat e Slalomit, duke u ngjitur në podiumin e vendit të tretë në konkurrimin e zhvilluar në Copper Mountain, Kolorado, SHBA.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se Colturi e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme garën e saj të dytë në këtë etapë të Kupës së Botës.

“Pas një renditjeje të fortë në lëshimin e parë, ku u pozicionua e katërta, Lara Colturi realizoi një paraqitje shumë të mirë në lëshimin e dytë, duke u renditur pas kampiones amerikane Mikaela Shiffrin dhe gjermanes Lena Dürr”, tha Gonxhja.

Ministri publikoi edhe momente nga gara në rrjetet sociale, ku theksoi se, “ky është një sukses që i jep mundësinë Lara Colturit të forcojë pozitën e saj në vendin e 2-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës”.

Duke komentuar rezultatin e saj, Colturi u shpreh e emocionuar për arritjen, duke deklaruar se “është çmenduri, as unë nuk po e besoj dot. Jam krenare për veten dhe për të gjithë punën që kemi bërë me ekipin dhe po përparojmë të gjithë së bashku”.

Ajo theksoi se ky sukses është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të ngushtë me skuadrën, duke shtuar besimin për garat e ardhshme në Kupën e Botës.

1 nga 2

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›