Legjenda e Milanit, Kaka, nuk mundi t’i mbante lotët para derbit: Ai mori çmim special nga klubi

Një moment emocional u përjetua në “San Siro” para derbit të Milanos mes Milanit dhe Interit, ku në qendër të vëmendjes ishte legjenda braziliane, Kaka.
Ish-mesfushori i Milanit u nderua me përfshirjen në "Sallën e Famës" së klubit, në një ceremoni të organizuar para fillimit të derbit.
Rikthimi në stadiumin ku kishte shkruar historinë e tij si futbollist dhe vlerësimi i marrë e emocionuan jashtëzakonisht shumë brazilianin, i cili nuk arriti t’i përmbante lotët.
Kaka është një prej emrave më të rëndësishëm në historinë moderne të Milanit. Me fanellën kuqezi, ai fitoi trofe të shumtë, përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 2007, ndërsa në të njëjtin vit u shpall edhe fitues i “Topit të Artë”.
Ceremonia e nderimit të tij i dha një dimension të veçantë atmosferës para derbit, që përfundoi me fitoren e Milanit ndaj rivalit të përbetuar, Interit, me rezultat 3-1.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe arritën ta siguronin fitoren falë paraqitjes së mirë, duke e bërë mbrëmjen në “San Siro” edhe më të veçantë për tifozët e tyre.
Megjithatë, përtej rezultatit, një nga momentet më të paharrueshme të mbrëmjes mbeti emocionimi i Kakës, i cili u rikthye në stadium si legjendë e klubit dhe u prit me nderimet që i takojnë historisë së tij me Milanin. /Telegrafi/