“Legjislaturë e dobët“, Andoni për RTSH: Politika nuk tregon interes për nevojat e qytetarëve

Thjesht të dobët, e përkufizon analisti Ben Andoni, këtë legjislaturë parlamentare, veçanërisht sesionin që nisi punimet mes flakadanëve dhe përfundoi në paqe politike.
Si pasojë e Kodit Zgjedhor, për Andonin deputetët nuk janë në lartësinë e misionit për t‘i shërbyer interesit qytetar, sikundër nuk kanë fuqi mbi ekzekutivin. Këta deputetë në optikën e Andonit janë shumë larg përkufizimit që interesi i vendit duhet të prevalojë mbi atë të partisë.
“Kur mendon se interesat e këtij vendi janë mbi interesat partriake, atëherë vërtet lë shumë për të dëshiruar. Çuditërisht e gjetën gjuhën për Kodin zgjedhor, për Amnistinë apo për rrogat përpara problematikave që kemi. Jemi vendi i fundit përsa i përket varfërisë, me kequshqyerje të fëmijëve në nivelin 47 përqind, atëherë çfarë duhet më shumë për t’i trembur. Vazhdoj të mendoj që ky sesion legjislacioni do të jetë i dobët”, tha Andoni.
Ky sesion parlamentar i dha opozitës falë konsensusit politik, dy komisione hetimore parlamentare, por kjo nuk konsiderohet arritje për analistin Andoni.
“Është e fjalë e famshme e Churchill “do që të mos mbarosh punë, atëherë ngri një komision në parlament”, ky është rasti në Shqipëri”, tha ai.
Analisti Andoni është skeptik se dakordësia e politikës për votën e Diasporës do të jetë produktive.
Sa i takon konsensusit tjetër politik që lista e kandidatëve për deputet 1e 3-ta e saj të jetë ekskluzivitet i Kryetareve, analisti Ben Andoni e gjykon se është parathënie e nivelit të legjislaturës së ardhshme parlamentare.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/