E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejuan ndërtimin e vilës në Zonën e Mbrojtur në Tropojë, punonjësi i policisë dhe një zyrtar në hetim, arrestohet pronari

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në Rajonin Kukës-Dibër, ka arrestuar në flagrancë shtetasin E. B., banues në qytetin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Ndërtim i Paligjshëm” në Zonat e Mbrojtura.

Njëkohësisht, AMP ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës dy zyrtarë, të cilët dyshohet se kanë lejuar këtë veprim në mënyrë të paligjshme. Bëhet fjalë për M. M., Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Tropojë, dhe G. H., punonjës i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Ata dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Sipas hetimeve, këta zyrtarë me veprime dhe mosveprime kanë lejuar ndërtimin e një objekti dy katësh me mur guri në vendin e quajtur “Quka e Ibrahim Osës”, në Bjeshkët e Pojanit, Njësia Administrative Tropojë, pa lejen e organeve kompetente dhe në kundërshtim me ligjin për Zonat e Mbrojtura.

AMP thekson përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkelje ligji nga punonjësit e institucioneve përkatëse, duke kontaktuar numrin e gjelbër 0800 9090 ose duke dërguar email në ankesa@amp.gov.al
.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›