Lëpusha, perla turistike e veriut të Shqipërisë ku agroturizmi ndërthur traditën me natyrën

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Në zemër të Alpeve Shqiptare, Lëpusha në Malësi të Madhe po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më të veçanta të turizmit malor në vend.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kjo zonë turistike, duke vënë në dukje zhvillimin e agroturizmit dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ofron kjo perlë alpine e veriut të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë e cilëson Lëpushën si një “nga perlat turistike të Veriut të Shqipërisë, ku natyra alpine, biodiversiteti dhe peizazhet mahnitëse krijojnë potencial për turizëm në çdo stinë”.
Rama shkruan se “në zemër të kësaj zone bjeshkore ndodhet bujtina “Kelmendi”, një sipërmarrje e mbështetur nga ne përmes Skemës Kombëtare, që po kthehet në një model të suksesshëm agroturizmi”.
Sipas tij, sipërmarrësi Dod Gjerkaj ka ndërtuar një eksperiencë autentike ku ndërthuren mikpritja alpine, ushqimi tradicional dhe lidhja me natyrën.
Vizitorët, theksoi Rama, mund të përjetojnë ecje në shtigje malore, ngjitje në alpe dhe eksplorim të atraksioneve natyrore të zonës, duke e kthyer Lëpushën në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turizmin malor dhe agroturizmin shqiptar.
E njohur për peizazhet e saj të paprekura dhe mikpritjen tradicionale, Lëpusha ofron për vizitorët një përvojë të rrallë qetësie dhe natyre. Vetëm 21 kilometra larg Tamarës dhe 10 kilometra nga Vermoshi, fshati është bërë më i aksesueshëm falë rrugës së përmirësuar dhe shtimit të bujtinave.
/m.q/j.p/