E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Salianjit për PPE/ Përgjigjet Berisha: S’ka vlerë për mua! Është shkruar nga zyra e Ramës

Sali Berisha u pyet nga gazetarët për letrën që ish-deputeti Ervin Salianji i ka dërguar Partive Popullore, për përjashtimin e tij nga gara për kryetarin e selisë blu më 23 maj.

Berisha tha se “Salianji mund të shkruante letra sa të donte si njeri i lirë, por ai ishte i vetëpërjashtuar”. Ai e akuzoi ish-ligjvënësin se atë letër ia kishin shkruar “nga zyra e Ramës apo ndonjë tjetri”.

“Partia Demokratike është anëtarë e të gjitha atyre institucione dhe ai që shkruan letër është i përjashtuar nga kjo parti, por ai është i lirë të shkruajë letra, sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin”, u përgjigj Berisha mes të tjerash.

Dhe teksa e akuzoi Salianjin për bashkëpunim me “armikun” politik, mazhorancën socialiste, shtoi se “ato letra nuk kanë asnjë vlerë” për të.

“Ndaj letrat e shkruara nga zyra e Ramës apo ndonjë tjetri, s’kanë asnjë vlerë për Sali Berishën, secili mund të shkruajë letra”, tha kreu i selisë blu në mbyllje të konferencës.

Ervin Salianji i është drejtuar me nje leter PPE  dhe drejtuesve të partive europiane të qendrës së djathtë ku ngre shqetësimin për bllokimin e garës për kryetar të Partisë Demokratike, mosrespektimin e statutit të partisë, përjashtimet arbitrare të anëtarëve dhe kandidatëve, mungesën e transparencës dhe shkeljen e rregullave themelore të pluralizmit politik.

Salianji thekson në letër se: “Çështja nuk është një kandidim individual, por mbrojtja e standardeve demokratike, pluralizmit të brendshëm dhe kredibilitetit institucional të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›