Lezha feston Ditën Olimpike 2026, sporti dhe edukimi bashkojnë të rinjtë

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Qyteti i Lezhës ka festuar Ditën Olimpike 2026 nën moton globale “Let’s Move”, duke e kthyer sheshin kryesor në një hapësirë të dedikuar sportit, edukimit dhe promovimit të vlerave olimpike.
Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e 10 shkollave të qytetit, ku nxënësit prezantuan punime kreative të dedikuara Olimpizmit, duke reflektuar njohuritë dhe interpretimet e tyre mbi vlerat që promovon lëvizja olimpike.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu sportistë të Klubit “Besëlidhja” dhe ekipe sportive shkollore, të cilët realizuan demonstrime dhe performanca sportive, duke përcjellë mesazhet e respektit, miqësisë dhe përsosmërisë që qëndrojnë në themel të filozofisë olimpike.
Një atmosferë e veçantë festive u krijua nga nxënësit e klasave të para, të cilët me entuziazmin dhe energjinë e tyre i dhanë aktivitetit gjallëri dhe ngjyra karakteristike të ditës së festës.
Organizatorët theksuan se Akademia Olimpike, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Lezhë, vijon të promovojë edukimin olimpik dhe vlerat e sportit te të rinjtë, me synimin për të kontribuar në formimin e një brezi më aktiv, të ndërgjegjshëm dhe të orientuar drejt një të ardhmeje më të shëndetshme dhe më të mirë.
/gj.m/j.p/r.e/