E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mirëpriti edicionin e 8-të të “World of Dance”, mbi 190 kërcimtarë nga e gjithë bota

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Shqipëria u kthye për dy ditë në një qendër ndërkombëtare të artit të kërcimit, duke mirëpritur edicionin e 8-të të aktivitetit “World of Dance”, ku morën pjesë mbi 190 kërcimtarë nga vende të ndryshme të botës.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bëri të ditur se, eventi u organizua nga koreografi ndërkombëtar Andi Murra dhe mblodhi në Tiranë artistë e grupe kërcimi që prezantuan performanca të larmishme dhe nivele të larta artistike.

Gjatë aktivitetit, talentet shqiptare arritën rezultate të rëndësishme, duke u renditur në vendet e para, të dyta dhe të treta në kategori të ndryshme të garës, çka dëshmoi nivelin konkurrues të artistëve të rinj shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Një nga elementët më të spikatur të këtij edicioni ishte pjesëmarrja e një jurie ndërkombëtare të përbërë nga emra të njohur të industrisë së kërcimit, e kryesuar nga një koreograf i njohur i Capkis Dance në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Organizatorët vlerësuan se “World of Dance” shërbeu jo vetëm si një garë artistike, por edhe si një platformë shkëmbimi kulturor, duke bashkuar artistë nga vende të ndryshme dhe duke promovuar talentin, kreativitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Aktiviteti konfirmoi gjithashtu rolin në rritje të Shqipërisë si mikpritëse e ngjarjeve ndërkombëtare kulturore dhe artistike, duke ofruar një skenë të rëndësishme për promovimin e talenteve të reja në fushën e kërcimit.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›