Lezhë- Argjinatura e lagunës së Vainit çahet sërish, ushtria në terren për mbylljen e pjesës së dëmtuar

Argjinatura e lagunës së Vainit në zonën e Tales në Lezhe është çarë sërish. Dëmtimi është konstatuar rreth orës 12:00 të së hënës (01 dhjetor), duke vënë në alarm banorët e Njësive Administrative Zejmen, Kolsh dhe Shënkoll.
Punëtorë dhe mjete të renda kane intensifikuar punën për mbylljen e argjinaturës, ku përveç kompanive private, në operacion janë përfshirë edhe forcat e ushtrisë, që po hedhin sasi inertesh për të mbushur pjesën e dëmtuar të argjinaturës.
Ndërkohë, për shkak të çarjes, prurje të konsiderueshme uji janë duke depërtuar në kanalin Spiten – Hidrovor. Si pasojë, disa sipërfaqe tokash bujqësore në zonat e Treshit dhe Spitenit janë përmbytur, por pa rrezikuar zonat e banuara.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e mbrojtjes civile, të cilat po vlerësojnë çdo ndryshim në terren për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe sa më efikase.
/rtsh.al/