E Hënë, 2 Nëntor 2026

Libohova përkujton Avni Rustemin, homazhe dhe aktivitete kulturore në 130-vjetorin e lindjes

Libohova përkujtoi sot 130-vjetorin e lindjes së Heroit të Kombit, Avni Rustemi, një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare.

Aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Libohovës nisën me homazhe pranë bustit të tij. Ky përvjetor u zhvillua me qëllim nderimin e jetës dhe veprës së patriotit që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.

Pas homazheve, tek shtëpia e Avni Rustemit, e cila tashmë është kthyer në muze, u mbajtën aktivitete kulturore dhe u hap një ekspozitë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij, ku u shfaqën fotografi, dokumente dhe materiale historike.

“Do të citoja atë çfarë Avniu ka thënë: ‘Unë ia kam falur jetën kombit dhe për këtë nuk kam asnjë pishman’. Kjo është një thirrje e fortë që akoma kumbon dhe dëgjohet fort edhe në këto momente,” tha kryetari i Bashkisë Libohovë, Leonard Hide.

“Avni Rustemi është një personazh i rëndësishëm historik, që bën pjesë në atë moment të fillimit të shekullit që lamë pas, deri në çerekun e parë të shekullit që lamë pas, pra, me humbjen e jetës së tij në prill të vitit 1924,” u shpreh studiuesi i historisë, Niko Kotherja.

Aktivitetet u mbyllën me një organizim të veçantë në lagjen Marinë, duke e kthyer këtë përvjetor në një ditë bashkimi dhe krenarie për komunitetin.

Figura e Avni Rustemit mbetet një simbol frymëzimi për brezat e rinj dhe një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e sakrificës në mbrojtje të atdheut.

Gazetare: B. Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›