Mbledhja e së martës për shkarkimin e Veliajt, reagojnë avokatët: Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor

Pas përgjigjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës drejtuar kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt, në lidhje me kërkesën e tij për të marrë pjesë në mbledhjen e 23 shtatorit kur pritet të merret vendimi për shkarkimin e Veliajt, kanë reaguar edhe avokatët e tij.
Në reagimin e tyre, avokatët e Veliajt shkruajnë se “Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00”.
Sipas avokatëve të Veliajt, ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak “lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues”.
Ata shpjegojnë se sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit.
“Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës”, thuhet në reagimin e avokatëve të Veliajt.
Avokatët e Erion Veliajt kanë rreshtuar disa pika sipas të cilave; kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes; nuk është dërguar rendi i ditës; nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi dhe nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.
“Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.
Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike”, përfundon njoftimi i avokatëve të Erion Veliajt.
/rtsh.al/