Liburn Aliu në krye të Autoritetit Portual Durrës, Balluku: Porto Romano funksional brenda tre viteve

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, duke theksuar se emërimi i tij vjen në një moment kyç për zhvillimin strategjik të porteve shqiptare.
Në fjalën e saj, Balluku u ndal te projekti madhor për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një nismë që synon ta kthejë Shqipërinë në një nyjë të rëndësishme logjistike dhe ekonomike në rajon.
“Kemi nisur prej kohësh një plan zhvillimi për një port të ri në afërsi të Durrësit, duke qenë se ky qytet është një pikë referimi për të gjithë rajonin. Me mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, MIE ka arritur të përgatisë një dokument të detajuar që parashikon të gjitha hapat e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”, deklaroi Balluku.
Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë shprehur interes për të qenë pjesë e projektit, përmes krijimit të porteve të thata në Shkup dhe Prishtinë, duke forcuar kështu bashkëpunimin rajonal dhe zinxhirin logjistik të Ballkanit Perëndimor.
“Procedura ndërkombëtare ka qenë transparente dhe me interes të lartë. Sot kemi arritur në fazën e fundit për ndërtimin e këtij porti. 5 kompani të huaja kanë garuar dhe në datën 31 janar do të shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit. Brenda vitit 2026 do të nisë ndërtimi në Porto Romano, ndërsa brenda tre viteve ky port do të jetë plotësisht funksional dhe operativ”, nënvizoi ministrja.
Balluku theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të portit të ri, i cili do të shërbejë jo vetëm ekonomisë shqiptare, por edhe partnerëve rajonalë dhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Porti në Porto Romano do të jetë porti më i madh në Ballkanin Perëndimor që do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, edhe Kosovës gjithashtu”, tha ajo.
“Porti i ri në Durrës është një korridor ekonomik dhe logjistik i disponueshëm për të gjitha operacionet e NATO-s. Durrësi ka nevojë për një drejtues profesionist, me njohuri të thella në fushën portuale dhe gjeopolitike, dhe Liburn Aliu i plotëson këto kushte. Jam e bindur se ai do ta realizojë me sukses këtë mision të rëndësishëm”, përfundoi Balluku.
Në fjalën e saj, Balluku theksoi se Porti i Durrësit ka qenë dhe mbetet një prioritet strategjik kombëtar, si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë gjeostrategjik, duke u shndërruar në një pikë kyçe për sigurinë dhe zhvillimin rajonal.
“Porti i Durrësit ka qenë një prioritet dhe ky port parashikohet të jetë bazë e NATO-s në zemër të Mesdheut. Ai do të vijojë të jetë motori ekonomik i vendit, që nuk prodhon vetëm punësim, por ekonomi zinxhir. Për këtë arsye, drejtimi i tij duhet të jetë në duar profesionistësh”, u shpreh Balluku.
Ajo njoftoi se drejtimin e Autoritetit Portual e merr Liburn Aliu, në vend të Kreshnik Bajraktarit, i cili do të angazhohet në një detyrë të re.
Balluku vlerësoi kontributin e Bajraktarit në rritjen e performancës së portit dhe në avancimin e projekteve madhore si porti i ri tregtar në Porto Romano dhe Porti i Marinës Durrës.
Duke folur për zgjedhjen e Liburn Aliut, Balluku u shpreh se e njeh atë prej shumë vitesh, nga periudha kur ai ishte ministër në qeverinë e Kosovës.
“Liburn Aliu është arkitekt me profesion, me një karrierë të gjatë politike dhe me dy mandate si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ai e njeh tregun Shqipëri-Kosovë si një tërësi të përbashkët në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor”, tha ajo.
Zv.kryeministrja tregoi se ideja për përfshirjen e Aliut në këtë detyrë ka lindur pas një bisede në fillim të shtatorit, ku ai kishte shprehur dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe rajonit.
“E diskutova këtë propozim me Kryeministrin Edi Rama, i cili e miratoi menjëherë. Porti i Durrësit është porti i shqiptarëve, që do t’u shërbejë të gjitha trevave të Ballkanit Perëndimor dhe është porta hyrëse e Korridorit të 8-të”, shtoi Balluku, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të projektit.
Nga ana e tij, Kreshnik Bajraktari falënderoi për besimin dhe theksoi se drejtimi i Portit të Durrësit ka qenë një përgjegjësi dhe nder i madh.
“Porti ka arritur performancë të lartë në zgjerimin e shërbimeve dhe rritjen e të ardhurave. Kemi siguruar vijueshmërinë e projekteve strategjike që e forcojnë rolin e portit në ekonominë kombëtare dhe rajonale”, deklaroi Bajraktari.
Në fjalën e tij të parë si drejtues i Autoritetit Portual, Liburn Aliu shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe vlerësoi rëndësinë e madhe që Porti i Durrësit ka për gjithë rajonin.
“Jam i nderuar që marr këtë detyrë. Porti i Durrësit është port i gjithë shqiptarëve dhe i rajonit, sepse Kosova pjesën më të madhe të mallrave e merr përmes këtij porti. Qëllimi ynë është ta bëjmë atë një port sfidues për rajonin, me standarde të larta dhe me lidhje të forta logjistike”, theksoi Aliu.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është thelbësor për zhvillimin e transportit dhe ekonomisë rajonale.
“Kosova ka nevojë për Portin e Durrësit për të shpërndarë mallrat në rajon, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik për të dy vendet. Porti i NATO-s, që do të ngrihet krahas portit tregtar në Porto Romano, do të sjellë siguri dhe stabilitet për gjithë rajonin”, deklaroi drejtori i ri.
Aliu tha se “në Kosovë më shohin si shqiptar të Shqipërisë, në Shqipëri si nga Kosova, por kjo detyrë është për të gjithë ne. Së bashku do ta bëjmë realitet Portin e ri të Durrësit, të lidhur me rrjetet hekurudhore dhe ekonomike të rajonit”.
/e.xh/r.e/a.f/