Liderët e G7-s deklaratë të përbashkët për Ukrainën: Të mbrohet integriteti territorial dhe e drejta për ekzistencë

Në katërvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës liderët e G7-së (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia) kanë publikuar deklaratën e përbashkët ku ripohojnë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e integritetit territorial, të drejtën për ekzistencë, lirisë, sovranitetit dhe pavarësisë së saj.
Në këtë deklaratë zyrtare G7 shpreh mbështetje të vazhdueshme për përpjekjet e presidentit Donald Trump për të nisur një proces paqeje dhe për të sjellë Ukrainën dhe Rusinë në bisedime të drejtpërdrejta.
Evropa ka një rol udhëheqës në këtë proces, së bashku me partnerë të tjerë, ndërsa mbështeten edhe angazhimet e Koalicionit të Vullnetshëm për garanci të forta sigurie për Ukrainën pas një eventual armëpushimi.
Liderët theksojnë se vetëm Ukraina dhe Rusia, duke punuar me besim të mirë në negociata të drejtpërdrejta, mund të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Deklarata vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me dimrin e dytë të rëndë pas sulmeve në infrastrukturën energjetike.
G7 mirëpret përpjekjet e anëtarëve dhe partnerëve për mbështetje të madhe financiare dhe materiale: kapacitete shtesë prodhimi energjie janë mobilizuar, janë dërguar mbi 2500 gjeneratorë, transformatorë, turbina, njësi kogjenerimi, kaldaja dhe pajisje riparimi në Kiev që nga janari 2026, si dhe premtime të reja mbi gjysmë miliardë euro për Fondin e Mbështetjes së Energjisë së Ukrainës për riparimin dhe mbrojtjen e sistemit energjetik – thelbësor për dimrin e ardhshëm dhe rikuperimin e vendit.
Gjithashtu, G7 angazhohet për sigurinë bërthamore duke bashkëpunuar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Ukrainën për rehabilitimin sa më të shpejtë të harkut të mbylljes së Çernobilit, për të parandaluar çdo incident radiologjik me pasoja të rënda humanitare dhe mjedisore për kontinentin.
Deklarata mbështet iniciativat për kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte të fëmijëve ukrainas te familjet e tyre – me vlerësim për punën e Koalicionit Ndërkombëtar për Kthimin e Fëmijëve Ukrainas – si dhe vazhdimi i ndihmës humanitare për popullsinë ukrainase.
Kjo deklaratë shënon mbështetjen e unifikuar të G7-së në një moment kyç diplomatik, duke kombinuar mbështetjen ushtarake/ekonomike me shpresën për negociata paqeje të drejtuara nga SHBA-të, por me theks se zgjidhja finale varet nga Ukraina dhe Rusia.
/rtsh.al/