E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2025 dramatik për gazetarët/ 128 punonjës të mediave të vrarë në mbarë botën, pjesa më e madhe në Gaza

Viti 2025 shënoi një rekord të ri për numrin e vrasjes së gazetarëve në mbarë botën. Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve publikoi raportin e saj të 35-të vjetor mbi gazetarët dhe punonjësit e medias të vrarë në lidhje me punën e tyre për vitin që lamë pas duke dokumentuar vrasjen e 128 profesionistëve të medias, përfshirë 11 gra dhe 9 humbje jete aksidentale.

“Këto shifra konfirmojnë një të vërtetë shqetësuese globale, vrasja e gazetarëve është bërë një mjet i pranuar i luftës, represionit dhe kontrollit të informacionit”, thekson Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, ndërsa u bën thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të miratojnë urgjentisht Konventën Ndërkombëtare për Sigurinë dhe Pavarësinë e Gazetarëve të hartuar prej saj për t’i dhënë fund ciklit të dhunës dhe pandëshkueshmërisë.

Sipas të dhënave, me 74 gazetarë të vrarë, përfshirë 56 në territorin palestinez dhe një në Iran, rajoni i Lindjes së Mesme dhe Botës Arabe përbën 58% të të gjithë profesionistëve të medias të vrarë në mbarë botën. Një nga nxitësit kryesor shihet lufta në Gaza, ku që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në tetor 2023, janë vrarë të paktën 234 gazetarë.

Megjithatë, sipas raportit, punonjës të medias u vranë edhe në zona të tjera, përfshirë 18 në Afrikë, 15 në rajonin e Azi-Paqësorit, 11 në Amerikë dhe 10 në Evropë. “Nëntë nga dhjetë vrasjet e regjistruara të gazetarëve në Evropë në vitin 2025 lidhen me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila sapo ka hyrë në vitin e saj të pestë.”- nënvizohet në raportin e Federatës Ndërkombëare të Gazetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›