Liga e Kombeve, sonte luhet San Marino-Shqipëri

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Shqipëria luan sonte ndaj San Marinos në ndeshjen e radhës, me kuqezinjtë që synojnë tri pikët për të vijuar garën për objektivat e tyre.
Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë të paktën pesë ndryshime në formacion, duke u dhënë mundësi edhe disa lojtarëve të tjerë.
Shqipëria pritet të luajë sërish me skemën 4-2-3-1. Në portë pritet të konfirmohet Thomas Strakosha, ndërsa në mbrojtje pritet debutimi i 19-vjeçarit Samuel Sina.
Sina pritet të aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes, në vend të Elseid Hysajt, ndërsa Mario Mitaj rikthehet në krahun e majtë, duke zëvendësuar Naser Alijin. Në qendër pritet të vijojnë Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli.
Në mesfushë, Ylber Ramadani pritet ta nisë ndeshjen nga stoli, ndërsa vendin e tij pritet ta marrë Emir Sahiti, përkrah Kristjan Asllanit.
Në repartin ofensiv, Ernest Muçi pritet të jetë sërish titullar, ndërsa Arbër Hoxha dhe Taulant Seferi pritet t’u lënë vendin Arbër Mehmeti dhe Myrto Uzunit. Në majën e sulmit pritet të luajë Rey Manaj.
Për sfidën që nis në orën 20:45 në stadiumin “San Marino”, kuqezinjtë janë në gjendje të mirë fizike. Përjashtim bën Klisman Cake, i cili vijon të stërvitet veçmas, ndërsa portieri Simon Simoni do t’i bashkohet skuadrës U-21.
Trajneri Rolando Maran e ka cilësuar sfidën ndaj San Marinos një provë karakteri për skuadrën, duke theksuar rëndësinë e mentalitetit dhe qasjes ndaj ndeshjes.
Edhe kapiteni Gjimshiti vuri theksin te mentaliteti me të cilin skuadra duhet të hyjë në fushë.
Shqipëria e ka mposhtur San Marinon në të katër përballjet e mëparshme, duke shënuar 13 gola dhe pa pësuar asnjë. Në ndeshjen e fundit, kuqezinjtë fituan 2-0 ndaj Bjellorusisë.
Sfida e sotme do të gjykohet nga një ekip arbitrash hungarezë.
/gj.m/j.p/r.e/