Ligji për barazinë gjinore hyn në fuqi pa firmën e Presidentit, pas përfundimit të afatit

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka kaluar në heshtje ligjin për Barazinë Gjinore, i miratuar më 6 nëntor në Kuvend me 77 vota pro dhe 36 kundër. Me përfundimin e afatit kushtetues, ligji hyn në fuqi pa firmën e kreut të shtetit.
Më herët opozita i kishte kërkuar Presidentit kthimin e ligjit në Kuvend, duke kundërshtuar disa dispozita. Kritika janë shprehur edhe nga grupime fetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Autoritetet që mbështesin ligjin thonë se ai synon garantimin e barazisë gjinore dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet ndërkombëtare, duke ndaluar diskriminimin në fusha si punësimi arsimi dhe përfaqësimi.
Debati është fokusuar te përkufizimi i termit “gjini” i cili në nenin 4 pika “ë” të ligjit përkufizohet si “rolet e ndërtuara në kontekstin social sjelljet aktivitetet dhe atributet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë”.
Po ashtu, debat ka pasur edhe për termin “përkatësi e shumëfishtë gjinore” që në ligj shpjegohet si “ndërlidhja dhe kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/