E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji të zgjerojë afatin e fushatës zgjedhore”, Skëndaj: Kontrolli i shpenzimeve të partive dhe transparenca në media, çelësi për zgjedhje të ndershme

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e ftuar në studion e RTSH24, deklaroi se tensionet që krijohen nga përdorimi i aseteve publike nga subjektet politike ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthortë në procesin e administrimit zgjedhor, votimit dhe numërimit. Skëndaj nënvizoi nevojën e forcimit të hetimit administrativ të rasteve të shfrytëzimit të aseteve publike.

“Tensionet që krijohen për shkak të mbrojtjes që ato i bëjnë subjekteve politike ndikojnë në mënyrën e drejtëpërdrejtë ose tërthortë në procesin e administrimit zgjedhor, votim dhe numërim. Është e nevojshme që hetimi administrativ i rasteve të shfrytëzimit të aseteve publike të forcohet më tej, sepse shpeshherë interpretimi që KQZ i ka bërë rasteve të denoncuara pranë tij ka qenë ngushtësisht formalo-ligjor dhe nuk ka mundur të ndëshkojë fenomene që krijojnë avantazh për partinë që ka pushtetin për shkak të institucioneve dhe përdorimit të administratës publike”, deklaroi Skëndaj.

Ajo shtoi se një problem tjetër i rëndësishëm është financimi i partive politike. Sipas Skëndajt, nuk ka ransparencë, auditim dhe kontroll të vazhdueshëm.

“Një moment tjetër që krijon një garë të pabarabartë është financimi i partive politike, që shpeshherë vjen nga burime jo të sigurta, nga para jo të pastra. Nuk ka një transparencë, nuk ka auditim dhe kontroll të vazhdueshëm. Partitë politike nuk kanë qartësisht detyrimet për të bërë raportimin e plotë dhe të saktë, dhe nuk ka një kontroll gjithëpërfshirës nga autoriteti, që në rastin konkret është KQZ, i cili cakton ekspertë auditues për të kontrolluar këto shpenzime”, shtoi ajo.

Barazia në media, është një tjetër komponent i rëndësishëm i nënvizuar nga Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Skëndaj u shpreh se ligji ose Kodi Zgjedhor nuk parashikon mjaftueshëm një hapësirë për përfaqësimin e partive politike të vogla në median audiovizive. Po ashtu, ajo vuri theksin edhe te përdorimi i kasetave të gatshme, që sipas saj cenojnë lirinë e medias në raport me mbulimin edrejtpërdrejtë të fushatave zgjedhore.

“Një moment tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me barazinë në media. Vetëm ligji ose Kodi Zgjedhor nuk parashikon mjaftueshëm një hapësirë për përfaqësimin e partive të vogla në median audiovizive. Po ashtu, përdorimi i atyre që quhen ‘kaseta të gatshme’ cenon lirinë e medias në raport me mbulimin drejtpërdrejt të fushatës zgjedhore dhe është i kushtëzuar nga materialet e gatshme që vijnë nga partitë politike, çka ndikon në informimin jo të drejtë të publikut”, shtoi ajo.

Skëndaj nënvizoi gjithashtu nevojën për zgjerimin e kompetencave të Kolegjit Zgjedhor. Për këtë të fundit, Skëndaj shprehu nevojën e zgjerimit të kompetencave  

“Kolegji Zgjedhor duhet të ketë kompetenca më të gjera, sepse një pjesë e çështjeve që kanë të bëjnë me gjobat administrative nuk shkojnë në kolegj, por në gjykatat administrative. E mira është të kemi gjithë gamën e mosmarrëveshjeve zgjedhore të përqendruara në një organ, i cili duhet të ketë edhe një mandat më të gjatë se ç’ligji e ka parashikuar, që aktualisht është 4-vjeçar”, theksoi ajo.

Sa i përket reflektimit të këtyre çështjeve në ligj, Skëndaj tha se “Ligji duhet të zgjerojë afatin që ka parashikuar për fushatën zgjedhore. Interpretimi i KQZ për rastet e shfrytëzimit të aseteve publike përqendrohet në afatin njëmujor, që është formalisht në ligj dhe njihet si fushata e ligjshme zgjedhore, por praktikisht të gjithë e dimë që fushata nis më herët. Ka diskutime nëse do të kemi katër muaj, sikurse vlen interpretimi për shfrytëzimin e aseteve publike në aktet që KQZ ka miratuar, apo do të kemi një periudhë pak më të gjerë, që nis nga momenti i dekretimit nga Presidenti dhe caktohet data e zgjedhjeve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›