E Diel, 1 Nëntor 2026

Linda Rama, rrëfimi i rrallë për jetën me Kryeministrin dhe besimi te vullneti hyjnor

Në një rrëfim të rrallë dhe intim për RTSH, Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, ka folur hapur edhe për tranzicionin e saj nga jeta akademike, në qendër të vëmendjes publike, si dhe për filozofinë e saj mbi fatin dhe natyrën njerëzore.

E ftuar në emisionin “Aromë gruaje” në RTSH, zonja Rama u rikthye pas në kohë, në ditët e para të martesës me kreun e qeverisë, duke zbuluar “mburojën” që gjeti për t’u përballur me kuriozitetin e madh publik.

Nga “misteri” te vëmendja e publikut

Për publikun e gjerë, figura e gruas që po martohej me Edi Ramën ishte fillimisht një e panjohur. Zonja Rama kujton bisedat e shumta që zienin gjatë javës së tyre të martesës, duke e cilësuar atë periudhë si një moment ku ajo ishte një “mister” për masën.

“Mua nuk më njihte publiku. Më njihnin kolegët, studentët, komunitetet lokale. Për shkak të Edit u prezantova edhe me publikun,” shprehet ajo.

Por, si arriti ajo të ruante ekuilibrin në atë vorbull vëmendjeje? Linda Rama thekson se siguria e saj nuk buronte nga statusi i ri, por nga baza e saj profesionale.

“Aleati më i madh i imi në atë periudhë kanë qenë arsimimi im, kolegët, komunitetet lokale. E dija se në atë moment ata ishin me mua. Kjo lloj aleance të jep siguri,” tha zonja Rama, duke nënvizuar rëndësinë e identitetit personal përpara atij publik.

Besimi te “destino” dhe roli në këtë botë

Përtej raporteve njerëzore, intervista preku edhe tema ekzistenciale. E pyetur nëse takimi dhe jeta e saj ishin çështje fati apo “destino”, zonja Rama dha një përgjigje që zbulon besimin e saj të thellë shpirtëror.

Ajo pohoi se beson te paracaktimi, një qasje e trashëguar nga familja.

“Jam rritur me këtë frymë nga gjyshërit e mi, prindërit. E kemi pasur kod të dakordësuar brenda familjes kodin fetar,” tha ajo, duke shtuar se “ne kemi ardhur në këtë botë për shkak të një vullneti hyjnor, për një rol të caktuar.”

Megjithatë, sipas saj, ky vullnet hyjnor nuk e përjashton veprimin njerëzor. Ajo theksoi se roli që na është dhënë, formësohet nga vetë individi gjatë rrugëtimit të jetës.

Filozofia e natyrës dhe gabimet

Në një reflektim filozofik mbi natyrën dhe shoqërinë, bashkëshortja e Kryeministrit bëri një paralelizëm interesant mes botës së kafshëve dhe njerëzve. Ajo e sheh natyrën si “perfekte”, por vëren se ndërveprimi shpesh sjell “egërsim”.

“Edhe njerëzit, edhe kafshët kur hyjnë në raport me njëri-tjetrin egërsohen. Ndodh diçka tjetër. Por kjo është bukuria që jetojmë, kjo na bën të dallueshëm e të vlefshëm,” u shpreh ajo.

Për Linda Ramën, ky kompleksitet i marrëdhënieve dhe mundësia për të gabuar nuk janë dobësi, por shkollë.

“Na jep mundësinë që nga gabimet të përmirësohemi. Eksperiencat janë të larmishme,” përfundoi ajo, duke nënvizuar se jeta është një kombinim i vullnetit hyjnor dhe mësimeve që marrim çdo ditë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›