E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Liri a vdekje ”, një prej “monumenteve” të kinematografisë shqiptare rivjen në cilësinë 4K

Një ndër veprat më të njohura dhe monumentale të kinemasë shqiptare, që sjell në ekran heroizmin e Çerçiz Topullit dhe luftën e Mashkullorës, simbolin e pathyeshëm të rezistencës për liri dhe pavarësi, filmi “Liri a vdekje” është shfaqur i restauruar në kinema “Millenium” mbrëmjen e 27 shtatorit.

Me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros, filmi përcjell jo vetëm betejën kundër pushtimit, por edhe forcën shpirtërore të një populli që refuzoi të përkulej. Filmi është shkruar nga skenaristi Vath Koreshi dhe me muzikë të kompozitorit Kujtim Laro.

Roli i Çerçiz Topullit, i interpretuar në këtë vepër madhore prej aktorit Timo Flloko, është ndër interpretimet më të spikatura të kinemasë shqiptare, kur bëhet fjalë për figurat historike të Rilindjes dhe të Luftës për Pavarësi.

“Njerëz të shquar të këtij filmi nuk janë më. U bëjmë homazh, që nga skenaristi Vath Koreshi, dy regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, kompozitorit të madh Kujtim Laro“, tha aktori Timo Flloko.

Restaurim i këtij filmi është projekti i radhës i restaurimit i realizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Restaurimi digjital i filmit “Liri a vdekje” është kryer në studiot e “Augustus Color” në Romë, që e restauruan nga negativët origjinalë 35 mm dhe e skanuan në cilësinë 4K.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›