Lirimi i hapësirave publike, Rama: Operacioni do të vazhdojë në çdo pjesë urbane të vendit

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, e konsideroi lirimin e hapësirave publike në çdo cep të vendit, jo një aksion, por një operacion kirurgjikal që do të vazhdojë në çdo organizëm urban të vendit dhe kryeqytetit.
Rama tha se vazhdon pastrimi në hapësirat publike, ndërsa theksoi se ndërhyrja do të vijojë në mënyrë kirurgjikale kudo.
“Do pastrohet çdo pjesë e prekur nga këta çibanë të patolerueshëm, vendin e të cilëve do ta zërë një hapësirë e re bashkëjetese mes komunitetit dhe njësive tregtare”, tha Rama.
“Tirana nuk është Teherani dhe nuk do t’i mbyllim brenda të gjithë ata që kanë shërbime edhe jashtë derës së njësive, por do të vendosim kufij të qartë, sepse nuk mund të lejohet që në hapësirën e një komuniteti ngrehinat e vendosura aty me pahirin e shpërfilljes së ligjit dhe marrëdhënies së bashkëjetesës së shëndetshme qytetare të bëjnë ligjin”, pohoi Rama.
Nisma është pjesë e operacionit të vazhdueshëm për rivendosjen e rendit urban dhe çlirimin e zonave të zaptuara në mënyrë të paligjshme, me fokus të veçantë në zonat bregdetare dhe ato me rëndësi turistike.
Ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.
Deri sot në këtë portal janë raportuar 13 961 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 356 raste, ndërsa 3 605 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
/e.i/r.e/