Lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit, Rama: Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i plazheve publike në Kepin e Rodonit përgjatë bregdetit të Durrësit.
“Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit, duke garantuar akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë”, shkroi Rama.
Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve, midis të cilave edhe Durrësin.
Nisur nga fakti se Durrësi ka një vijë bregdetare mjaft të gjatë këtë vit plazhet publike janë konceptuar të ndërprera me ato private, me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i aksesojnë në segmente të ndryshme.
Po ashtu Bashkia ka pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.
Kepi i Rodonit është një tjetër perlë e Adriatikut që fton të gjithë pushuesit për të shijuar jo vetëm plazhin e mrekullueshëm, por edhe historinë që mbart ky vend.
Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalëzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të Detit Adriatik.
Ky xhevahir i natyrës është një vend jashtëzakonisht interesant mbi të gjitha për vendndodhjen e tij piktoreske: një kep shkëmbor që shtrihet drejt detit, formuar nga shkëmbinjtë e rrethuar me bimësi mesdhetare dhe lule aromatike.
Në këtë vend çdo vizitor gjen të ndërthurur më së miri historinë, me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut.
/gj.m//r.e/