E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump hedh poshtë planin e Macron për të njohur shtetin palestinez

UASHINGTON, 25 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump hodhi poshtë planin e Presidentit francez, Emmanuel Macron për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator, sipas “Reuters”.

“Ajo që thotë ai nuk ka rëndësi”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai është një djalë shumë i mirë. Më pëlqen, por kjo deklaratë nuk ka peshë”, theksoi Trump.

Macron i dërgoi një letër presidentit palestinez, Mahmoud Abbas duke e njoftuar për vendimin e tij.

Kjo vjen në përgjigje të një letre që Abbas i dërgoi Macron disa javë më parë, ku kërkohej dënimi i sulmit të Hamasit më 7 tetor, lirimi i menjëhershëm i pengjeve, mbështetje për çarmatosjen e Hamasit dhe theksohej angazhimi i Autoritetit Palestinez për t’ju nënshtruar reformave – për t’i lejuar atij – të qeverisë plotësisht Bregun Perëndimor dhe Gazën dhe të zhvillojë zgjedhje presidenciale deri në vitin 2026.

Presidenti francez, Macron e bëri njoftimin përpara një konference ndërkombëtare mbi zgjidhjen me dy shtete të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite që do të zhvillohet javën e ardhshme në selinë e OKB-së, në Nju Jork.

Zyrtarët sauditë thanë publikisht se shpresojnë që konferenca të nxisë më shumë vende për të njohur Palestinën.

“Franca do të vazhdojë me njohjen e plotë të Palestinës si shtet – kur unë të marr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë shtator. Duke vepruar kështu, Franca synon të japë një kontribut vendimtar për paqen në Lindjen e Mesme dhe të mobilizojë të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë që dëshirojnë të marrin pjesë”, tha Macron.

“Ky qëndrim pasqyron angazhimin e Francës ndaj ligjit ndërkombëtar dhe mbështetjen e saj për të drejtat e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit tonë të pavarur”, shkroi zëvendëspresidenti palestinez Hussein al-Sheikh në X.

Por, zyrtarë të shumtë izraelitë e dënuan njoftimin e Macron.

“Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një pikë nisjeje për të shkatërruar Izraelin – jo për të jetuar në paqe pranë tij”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë.

Ministri ultranacionalist i Financave, Bezalel Smotrich tha se Izraeli duhet t’i përgjigjet vendimit të Francës duke aneksuar zyrtarisht Bregun Perëndimor. Disa ministra të tjerë të qeverisë iu bashkuan thirrjes së tij.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se vendimi i Macron ishte një çmim për vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit që kryen masakrën më të keqe të hebrenjve që nga Holokausti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›