E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen 4 nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, ambasada: U respektuan të drejtat e të miturve gjatë procedurave ligjore

Katër nxënësit e mitur nga Durrësi, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr të Malit të Zi, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada shqiptare në Mal të Zi, e cila ka ndjekur nga afër rastin dhe u ka ofruar të miturve asistencë konsullore.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i tyre erdhi pas një konflikti verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin formuar me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi informon se katër nxënësit shqiptarë të mitur, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.

Reklamë

Sipas informacionit të marrë, ndalimi pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore. Ambasada ka mbajtur gjatë gjithë kohës komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit.

Sipas autoriteteve malazeze, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve dhe u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog.

Ambasada vlerëson bashkëpunimin me autoritetet malazeze dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë”, thotë njoftimi zyrtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›