E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen nga detyra pesë ambasadorë të Shqipërisë, Dautllari merr detyrën e ambasadorit në BE

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve shqiptarë, teksa ka emëruar dy ambasadorë të rinj.

Në një njoftim për mediet, Presidenca bën të ditur se Kreu i Shtetit ka dekretuar emërimin në detyrë të Gazmend Barbullushit në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident; Ky pozicion mbahej nga Albana Dautllari, e cila tashmë u emërua nga presidenti në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.

Po ashtu, Presidenti ka dekretuar lirimin nga detyra për pesë ambasadorë.

Kështu u lirua nga nga detyra të Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident.

Presidenti Begaj dekretoi lirimin nga detyra Bardhyl Canajn, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, rezident.

Po ashtu, Begaj dekretoi lirimin nga detyra të Sami Shibës, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident.

Po ashtu u dekretua lirimi i Vasilika Hysit, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.

Presidenti Begaj dekretoi lirimin nga detyra edhe të Albana Dautllarit, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›