E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirohet hapësira publike e zënë pa leje në Tiranë, procedohet 39-vjeçari


TIRANË, 13 korrik/ATSH/Policia e Tiranës njoftoi se vijon operacioni për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme, në kuadër të aksionit për garantimin e rendit dhe respektimin e hapësirave të përbashkëta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, ndërhynë në rrugën “Medar Shtylla”, ku konstatuan një hapësirë të përbashkët pallati të zënë pa leje dhe të kthyer në vendparkim automjetesh.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, ndërsa automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u tërhoqën me karrotrec.

Policia e Tiranës apelon për respektimin e hapësirave publike dhe garanton se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të tyre, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›