Lirohet pika e grumbullimit të mjeteve në Kurbin, Koçiu: Gangrenë mjedisore, hapësira i kthehet qytetarëve

Pas lirimit të pikës së grumbullimit të mjeteve të bllokuara në Shkodër, aksioni po vijon edhe në pikën e grumbullimti të mjeteve të bllokuara në Kurbin. Në inspektimin e zhvilluar për lirimin e hapësirave publike, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi se kjo “gangrenë mjedisore” do të largohet dhe hapësira do t’i kthehet Bashkisë së Laçit për ta vënë në funksion të qytetarëve.
Në këtë pikë grumbullimi ndodhen 1,664 mjete motorike të tipologjive dhe statuseve të ndryshme, nga të cilat 1,100 janë të destinuara për skrap, të depozituara prej vitesh pas sekuestrimeve apo konfiskimeve nga policia.
Hapësira, që prej vitit 2006 është në pronësi të Komisariatit të Policisë së Kurbinit, tashmë do të përdoret nga bashkia për projekte të zhvillimit në shërbim të komunitetit.
“Është një nga pikat e grumbullimit që Policia e Shtetit ka përdorur prej vitesh për depozitimin e mjeteve të sekuestruara apo konfiskuara. Të tilla pika kemi me dhjetëra në gjithë vendin. Falë aksionit me një sërë agjencish kemi nisur evidentimin dhe seleksionimin e mjeteve të depozituara prej vitesh. Këto hapësira publike janë shndërruar në burime ndotjeje dhe mjedise të papërshtatshme për qytetarët. Ne do t’ia kthejmë Bashkisë së Laçit, e cila ka projekte zhvillimore për to, duke i vënë në funksion të komunitetit”, tha Koçiu.
Ky aksion po ecën paralelisht me ndërhyrjet e IMT për lirimin e hapësirave publike në qytete, me qëllim rikthimin e tyre te qytetarët për një Shqipëri, siç tha ministrja, më të pastër dhe më të sigurt.
/rtsh.al/