Llatja viziton mësonjëtoren “Kostandin Kristoforidhi”, dy vite pas hapjes

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Në kuadër të vizitës në Athinë, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me kryetaren e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, vizituan klasën e gjuhës shqipe pranë “New York College”, ku prej dy vitesh funksionon mësonjëtoria “Kostandin Kristoforidhi”.
E hapur në vitin 2024, kjo ishte mësonjëtoria e parë e gjuhës shqipe në Athinë, një iniciativë e ndërmarrë nga Shoqata e Elbasanit, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Këshillin e Qarkut, si dhe me mbështetjen e komunitetit shqiptar në emigracion.
Rreth 30 nxënës u bënë pjesë e kësaj nisme që në fillimet e saj, duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme për mësimin e gjuhës dhe njohjen e kulturës shqiptare.
Gjatë vizitës, delegacioni u takua me nxënës dhe mësues nga Elbasani, të cilët me përkushtim vijojnë të ruajnë dhe përcjellin gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar te brezat e rinj. Kjo nismë tashmë është kthyer në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Athinë.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të vyer, kryetari Gledian Llatja u dorëzoi “Mirënjohjen e Qytetit” dy mësueseve, Valentina Bozhiqit dhe Sonila Lushos, për përkushtimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Llatja theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një mision i përbashkët dhe një investim i rëndësishëm për brezat që rriten larg atdheut.
Kjo vizitë rikonfirmon angazhimin institucional për të mbështetur çdo iniciativë që forcon lidhjen e diasporës me rrënjët, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
1 nga 9