E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i ngrohtë gjallëron Vlorën në fund të shkurtit

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Me rritjen e temperaturave dhe ditët me diell, Vlora kthehet menjëherë në një nga destinacionet më të preferuara për qytetarët dhe vizitorët, të cilët zgjedhin të shijojnë shëtitjet buzë detit, Lungomaren dhe atmosferën e gjallë të qytetit bregdetar, duke e kthyer çdo fundjavë me mot të mirë në një mini-sezon turistik.

Temperaturat e larta dhe moti i kthjellët i këtij fundshkurtit kanë sjellë një atmosferë pranverore në Vlorë, ku qytetarë dhe vizitorë të shumtë kanë zgjedhur të kalojnë orët e paradites dhe pasdites buzë detit.

Fëmijë që luajnë në breg, të rinj e të reja që shëtisin në bulevard dhe në Lungomare, si dhe familje e të moshuar që shijojnë rrezet e diellit mbi detin Jon, kanë krijuar një panoramë plot gjallëri në qytetin bregdetar. Ditët me diell janë kthyer në një prelud të pranverës, duke rikthyer lëvizjen dhe energjinë tipike të sezonit turistik.

Pamje nga qyteti ndau edhe Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke e shoqëruar postimin me përshkrimin e shkurtër “Vlora sot”. Fotot tregojnë bregdetin dhe shëtitoren nën rrezet e diellit, me qytetarë dhe vizitorë që shijojnë temperaturat e favorshme për këtë periudhë të vitit.

Investimet në infrastrukturë e kanë kthyer Vlorën në një nga qytetet më të preferuara që vijon të tërheqë vizitorë gjatë gjithë vitit, duke u konsoliduar si një ndër destinacionet më të kërkuara turistike në vend, falë klimës së butë, vijës bregdetare dhe infrastrukturës së zhvilluar për pushuesit.

e.xh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›