E Diel, 1 Nëntor 2026

Llogora, rihapen vatrat e zjarrit, shtohen dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme

Situata në zonën e Qafës së Llogorasë mbetet shqetësuese, pasi mbrëmjen e sotme janë raportuar sërish vatra aktive zjarri. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e RTSH 24, e cila nënvizon se ky nuk është një rast i izoluar.

Brenda harkut kohor të 10 ditëve, kjo zonë turistike dhe me rëndësi të veçantë mjedisore është përballur disa herë me flakët. Aktivizimi i disa vatrave njëkohësisht, pikërisht në orët e mbrëmjes, ka forcuar dyshimet e autoriteteve se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme dhe jo me shkaqe natyrore.

Fatmirësisht, reagimi i shërbimit zjarrfikës ka qenë i menjëhershëm. Efektivët kanë mbërritur në kohë në terren, duke bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe shmangien e një dëmi më të madh në masivin pyjor të Llogorasë.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët e mundshëm të këtyre incidenteve të përsëritura që rrezikojnë një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›