E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet tumorale në vend në rritje, Sala: Shërbim onkologjik në rrethe sipas protokolleve të Tiranës

Sëmundjet tumorale janë problemi me i madh i shëndetit publik në Shqipëri pas sëmundjeve kardiovaskulare. Të dhënat më të fundit zyrtare të vitit 2024 tregojnë për 7076 raste të reja në vit, ku më të prekurit janë meshkujt. 16% e vdekjeve kanë si shkak kancerin. Në  Forumin për kacerët në Shqipëri, autoritet e shëndetit publik informuan se dy kacerët më të shpeshtë janë ai i mushkërive dhe i gjirit.

“Shumica e kacerëve hasen te meshkujt dhe kjo, me shumë gjasa lidhet me stilin e jetesës,  duhanin. Kanceri i mushkërive ngelet kryesor, pavarësisht se kanceri i gjirit po rritet me shpejtësi, të ndjekur nga kanceri i stokamut dhe zorrës së trashë”, tha eksperti i ISHP, Alban Ylli.

Ministrja e shëndetësisë Evis Sala tha se në luftën ndaj kancerit, përveç parandalimit dhe kapjes së hershme, po punohet fort për trajtimin e tij ku Instituti Kombëtar i Onkologjisë dhe i Rrjeti Kombëtar i Kancerit janë çështje muajsh.

“Ngritjen e një Institucioni Kërkimor-Shkencor sipas modeleve europiane. Gjatë këtyre muajve, jo më larg se dje në INT Milano, kam takuar mjekë shqiptarë të rinj që punojnë në institucione europiane të ekselencës dhe kanë dëshirën për të kontribuar në këtë reformë historike. Rrjeti Kombëtar i Kancerit do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit”, u shpreh Ministrja.

Ekspertët thonë se nuk duhet të shpresojmë që do të kemi më pak kacerë në Shqipëri sepse prirjet në vese dhe stil jetese janë të qarta por duhet të përgatisim sistemet shëndetësore .

“Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për një numër të madh të rasteve me kancer dhe një sfidë të madhe në sistemin shëndetësor. Duhet të bëjmë çmos për të frenuar aty ku mundemi, sidomos për kancerin e mushkërive që mund të bëjmë më shumë për parandalimin e duhanit. Por sfida do të mbetet te trajtimi i numrit gjithnjë e më të lartë të rasteve”, theksoi Ylli.

Ekspertët në çdo analizë mbi llojet e kacerëve akuzojnë duhanpirjen si ndikuesin më të madh duke renditur më pas alkoolin, ushqyerjen, obezitetin, ndotjen dhe stilin e jetesës.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›