E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojëra fati në lokal/ Shkodër, arrestohet një person, shpallen në kërkim dy të tjerë

Zbulohet në Fushë-Arrëz, një lokal ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit.

Sekuestrohen 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë.

Arrestohet në flagrancë një 30-vjeçar, punonjës i lokalit.

Shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar si organizatorë të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksionit të Mbështetjes Operacionale Hetimore të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gaminator”.

Gjatë operacionit të zhvilluar në qytetin e Fushë Arrëzit, u konstatua se në ambientet e një lokali zhvillohej aktiviteti i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve procedurale:

-u arrestua në flagrancë shtetasi P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit;

-u shpallën në kërkim shtetasit I. T., 30 vjeç dhe G. P., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjatë kontrollit në lokal, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›