“Luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare”/ Ambasada e SHBA në Prishtinë i jep zemër “Dardanëve”

Mbrëmja e sotme i takon Përfaqësueses së Kosovës që në “Fadil Vokrri” do të luajë ndeshjen e jetës së saj.
Dardanët janë vetëm një ndeshje larg historisë, kualifikimit për në Botërorin e këtij viti.
Nëse dikush në 2016 do të thoshte që Kosova pas 10 vitesh do të ishte në këtë pikë, në këtë kulm, askush nuk do ta besonte. Por Dardanët janë aty dhe në Prishtinë do të përballen me Turqinë për të bërë realitet ëndrrën amerikane.
Dhe përveç shqiptarëve, kudo në botë, që janë me zemër në Prishtinë, nuk ka munguar as një mesazh mbështetje nga Ambasada e SHBA në Prishtinë. “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju brohorasim – luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare!“, thuhet në mesazhin e ambasadës në rrjetet sociale.Kosovë-Turqi luhet mbrëmjen e sotme, duke nisur nga ora 20:45. Përfaqësuesja që fiton siguron një vend në finalet e Kupës së Botës 2026 dhe do të jetë pjesë e Grupit D së bashku me SHBA, Paraguajin dhe Australinë.
