Sonte miqësorja me Ukrainën, si pritet të luajë Shqipëria

Kombëtarja pritet të ketë ndryshime në formacionin e minutës së parë në miqësoren e sotme me Ukrainën në Valencia.
Ato janë për mungesa për shkak dëmtimi, por edhe për të provuar lojtarë të cilët nuk kanë minuta.
Qendra e mbrojtjes është më e goditura. Përkrah kapitenit Gjimshiti nuk mund të luajë as Ajeti dhe as Ismajli. Të dy janë të lënduar dhe janë larguar nga grumbullimi.
Duket se Çake, i provuar edhe më herët në këtë rol, pritet të jetë titullar. Edhe krahët mund të kenë lëvizje, duke aktivizuar Balliun e Pilon në vend të Hysajt e Mitajt. Mesfusha pritet të mos ketë ndonjë lëvizje pas largimit të Ramadanit për arsye familjare.
Nga minuta e parë pritet të jenë Shehu, Asllani dhe Laçi.
Në sulm deri më tani Sylvinho ka parashikuar Mehmetin e Hoxhën në krahë, ndërsa në qendër mund të jetë një mes Brojës e Uzunit.
Sylvinho dhe stafi i tij kanë edhe pak orë që të vendosin zyrtarisht formacionin dhe mund të ketë edhe surpriza, edhe pse trajneri në konferencën e tij tha se mendon pak ndryshime.
LEXO EDHE: Kombëtarja vijon përgatitjet anti-Ukrainë në Valencia/ Muçi i dëmtuar, ikën në Turqi
Miqësorja Ukrainë – Shqipëri do të luhet prej orës 20:45, në stadiumin “Estadi Ciutat de València”, në Valencia.