Lufta në Lindjen e Mesme, qeveri të ndryshme, masa për adresimin e rritjes së çmimit të naftës

Në përpjekje për të ulur ndikimin ekonomik të luftës me Iranin, SHBA ka autorizuar vendet e tjera që të blejnë naftë të sanksionuar ruse, e cila aktualisht është ngarkuar dhe ndodhet në anije në det.
Sekretari amerikan i Thesarit, Skot Bessent, u shpreh se masa ishte e vlefshme deri në datën 11 prill dhe synonte nxitjen e qëndrueshmërisë në tregjet energjetike të botës.
Vetë Moska, që bëri të ditur se ka rreth 100 milionë fuçi naftë në tranzit, u shpreh se SHBA po pranonte atë që ishte e dukshme: pa naftën ruse, tregu energjetik nuk mund të ishte i qëndrueshëm.
Por vendet e BE-së nuk reaguan mirë ndaj masës. Presidenti francez Emanuel Macron u shpreh se lehtësimi i sanksioneve ndaj Moskës nuk ishte i justifikuar. Vendimin amerikan, kancelari gjerman Fridrih Merz e cilësoi të gabuar.
Sulmet ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, të cilën gjenerali i lartë amerikan Dan Caine e cilësoi të premten si një mjedis të ndërlikuar nga ana taktike, kanë tronditur tregjet botërore të energjisë.
Çmimet e naftës kanë shkuar mbi 100 dollarë për fuçi, pavarësisht masave si ajo e marrë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për injektimin në treg të 400 milionë fuçive naftë nga rezervat e vendeve anëtare.
Qeveri në shumë vende të botës po përpiqen të adresojnë situatën. Ajo e Serbisë vendosi reduktimin me 20 përqind të akcizës ndaj naftës dhe benzinës.
Kryeministri britanik bëri me dije se qeveria e tij do të bënte gjithçka që mundej për të penguar rritjen e çmimeve dhe për të mos lejuar subjekte të ndryshme që të përfitonin nga situata e krijuar me çmimin e naftës nga lufta në Lindjen e Mesme.
Edhe qeveri në Azi, që janë blerës të mëdhenj të naftës nga vendet e Gjirit, kanë njoftuar një sërë masash. Ekzekutivi i Filipineve, vend që 95% të naftës së papërpunuar e merr nga Lindja e Mesme, u ka kërkuar punonjësve të administratës publike që të punojnë katër ditë në javë për kursimin e karburantit. Vende si Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajlanda kanë njoftuar çmime tavan për naftën.
/rtsh.al/