E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luftë e përbashkët antikrim”, Dumani me homologët e Ballkanit: Grupet kriminale s’kanë kufij! Gonzato: Ndikon tek integrimi

Lufta ndaj krimit të organizuar nuk bëhet vetëm. Ky ishte mesazhi i kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani në një forum të prokurorëve të përgjithshëm e speciale të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunime të frytshme, Dumani konsideron ato me Agjencitë Ligjzbatuese Europiane, njëherësh edhe ato mes skuadrave të përbashkëta hetimore me prokuroritë e rajonit.

“Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia por dhe lufta për korrupsionin. Grupet kriminale janë të ndërlidhura operacionet janë transnacionale. Më shumë hetime të përbashkëta, ndarja e informacioneve një mision i qartë se gjeografia nuk e pengon por e ndihmon partneritetin tonë. Bashkëpunimi me Eurojust, nyje strategjike për bashkëpunim, përmes punës trajtuam raste komplekse duke punuar së bashku. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është e gjatë dhe ndonjëherë e izoluar kur bashkëpunojmë me njëri tjetrin bëhet më e lehtë. Të vazhdojmë dialogun për të arritur zgjedhje konkrete”, tha Dumani.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato e lidh rezultatin e prokurorëve dhe të gjyqësorit drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në union.

“Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces! Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve. Grupet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e vet apo për t’iu shmangur drejtësisë”, u shpreh Gonzato.

I pranishëm ishte edhe Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, i cili edhe një herë tregoi gatishmëri për vullnet të përbashkët për të rritur nivelin e bashkëpunimit në luftën kundër grupeve kriminale.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›