E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumi Kir nën presion – Hedhja e mbetjeve rrit rrezikun e përmbytjeve dhe ndot zonat bregdetare

Mbetjet inerte dhe urbane që depozitohen përgjatë brigjeve të lumit Kir janë bërë një kërcënim serioz pasi po përfundojnë në det. Fryrja e lumit i merr ato me vete, duke shkaktuar ndotje dhe rrezik për përmbytje në zonat përreth.

Për ekspertin e mjedisit Profesor Doktor Ervis Krymbi, depozitimi i këtyre mbetjeve përgjatë shtretërve të lumenjve është një dëm shumë i madh për mjedisin, ku një pjesë e mirë e tyre sipas tij përfundojnë në plazhet tona.

“Në një moment të caktuar dekantimi apo depozitimi i këtyre mbetjeve përgjatë shtretërve të lumenjve nuk bëjnë gjë tjetër se i hedhin drejt detit dhe janë përgjatë plazheve tona”, u shpreh  eksperti.

Hedhja e mbetjeve ndërtimore, pranë brigjeve të lumit Kir, cënon edhe strukturën e argjinaturës, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, shprehet eksperti Ervis Krymbi.

“Mbetjet inerte nuk duhet të jenë pranë argjinaturës sepse janë një dëm shumë i madh“, tha Krymbi.

Pavarësisht se zona përreth është një hapësirë natyrore me vlera të veçanta ekologjike, mjedisi po dëmtohet nga hedhja pa kriter e mbetjeve.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›