Lushnjë, afishohen të dhënat e Regjistrimit Fillestar për fshatin Kosovë e Vogël

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) po vijon në shkallë vendi procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, një nga projektet më të rëndësishme për përditësimin e të dhënave kadastrale dhe forcimin e sigurisë juridike mbi pronën. Në këtë kuadër, ka nisur afishimi publik i të dhënave të Regjistrimit Fillestar për fshatin Kosovë e Vogël, njësia administrative Fier Shegan, në bashkinë Lushnjë.
Sipas njoftimit të ASHK-së, procesi i afishimit publik synon t’u japë mundësi banorëve të verifikojnë të dhënat e pasurive të tyre dhe të kontribuojnë në saktësimin e informacionit kadastral përpara përfundimit të procesit të regjistrimit.
Dokumentacioni i afishuar mund të konsultohet pranë ambienteve të Bashkisë Lushnjë, në Drejtorinë Vendore të ASHK-së në Fier, si dhe në mënyrë elektronike përmes Platformës së Afishimit Publik në faqen zyrtare të institucionit.
Gjatë kësaj faze, qytetarët mund të paraqesin kërkesa me shkrim për korrigjimin e çdo pasaktësie të mundshme që lidhet me të dhënat e pronës, sipërfaqet, emrat e pronarëve apo elementë të tjerë të pasqyrimit kadastral.
Sipas ASHK-së, afishimi publik është një nga fazat më të rëndësishme të procesit të Regjistrimit Fillestar, pasi garanton transparencë, saktësi dhe përfshirje të qytetarëve në verifikimin e të dhënave të pronësisë.
Ky proces synon krijimin e një regjistri kadastral të plotë dhe të besueshëm, duke lehtësuar administrimin e pronës dhe përmirësuar shërbimet që u ofrohen qytetarëve dhe subjekteve në të gjithë vendin.
/e.xh/a.f/r.e/