E Diel, 1 Nëntor 2026

MADRID – Bllokimi i traktatit Francë-Spanjë krijon tension gjatë vizitës së Macron

MADRID, 30 shtator /ATSH-DPA/- Senati spanjoll ka refuzuar të miratojë një traktat miqësie me Francën, duke krijuar një situatë të pakëndshme gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron në Spanjë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez i kërkoi falje sot Macron.

Vetëm pak orë pas mbërritjes së presidentit francez, opozita konservatore përdori shumicën që ka në Senat, për të bllokuar miratimin përfundimtar të marrëveshjes.

Traktati u nënshkrua nga Macron dhe Sánchez në janar 2023, por në Spanjë kishte hasur kundërshtime.

Partia Popullore konservatore spanjolle (PP) e kishte çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar një pjesë të marrëveshjes, që lejon ministrat francezë të marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë spanjolle.

Gjykata Kushtetuese vendosi javën e kaluar, në mënyrë unanime, se kjo pjesë e marrëveshjes nuk bie ndesh me Kushtetutën spanjolle.

Megjithatë, pas votimit në Senat, Sánchez tha: “Mund vetëm të kërkoj publikisht falje për këtë votë negative”.

Ai shtoi se beson se traktati do të miratohet deri në fund të vitit.

Partia Popullore, e drejtuar nga lideri i opozitës Alberto Nunez Feijoo, votoi kundër marrëveshjes në Senat, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Dhoma tjetër e Parlamentit spanjoll, Kongresi i Deputetëve, e miratoi marrëveshjen disa muaj më parë, megjithëse deputetët e Partisë Popullore kishin votuar kundër.

Macron mbërriti dje në Spanjë për një vizitë shtetërore dyditore dhe u prit me nderime të plota ushtarake nga mbreti Felipe VI dhe mbretëresha Letizia.

Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti francez në Spanjë që nga viti 2009. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›