E Hënë, 2 Nëntor 2026

MEKI dhe “Porti MBM”, marrëveshje për restaurimin e monumentit “Muret e Portës” në Porto Romano

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe shoqëria koncesionare “Porti MBM” nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për restaurimin dhe mirëmbajtjen e monumentit të kategorisë së parë “Muret e Portës (Porto Romano)”, e cila daton në shekullin VI të erës sonë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se shoqëria koncesionare “Porti MBM” do të investojë në mbulimin e shpenzimeve për ndërhyrjet restauruese në përputhje me kriteret.

Gjithashtu ky investim do të mundësojë ruajtjen dhe rijetësimin e këtij monumenti të vyer, i cili do të jetë i aksesueshëm edhe për publikun e do të mirëmbahet dhe menaxhohet nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Ministri Gonxhja e konsideroi këtë si një përparim të rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e historisë dhe kulturës së qytetit bregdetar.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të shpëtuar një nga dëshmitë më të hershme të historisë urbane të Durrësit, duke e kthyer atë në një vlerë të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore!”, shkruan Gonxhja.

Pjesa simbolike ku ngrihej porta u dëmtua gjatë punimeve për ndërtimin e portit të ri të hidrokarbureve ndërsa në zonë janë një kullë e mbetur, një linjë muri fortifikimi ndërsa mund të vlerësohet rikuperimi i monumentit.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›