MEKSIKË – Sheinbaum: Prania e trupave amerikane nuk është në rendin e ditës

MEKSIKO SITI, 12 janar /ATSH-AFP/- Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum deklaroi sot se i ka bërë të qartë homologut të saj amerikan, Donald Trump, se prania e trupave amerikane në vend “nuk është në rendin e ditës”.
Të dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike pas deklaratave të Trumpit të enjten, ku ai përmendi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të “ndërmarrin një sulm tokësor kundër karteleve të drogës”, veçanërisht në Meksikë.
”Unë i thashë ‘jo, kjo nuk është në rendin e ditës’, por ne vazhdojmë të bashkëpunojmë brenda kuadrit të sovranitetit tonë”, deklaroi Sheinbaum gjatë konferencës së saj të zakonshme për shtyp.
”Meksika është kundër ndërhyrjeve ushtarake”, i theksoi ajo presidentit amerikan, i cili e kishte pyetur për mendimin e saj lidhur me një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjen e Nicolas Maduros më 3 janar.
”Ai më pyeti se cili ishte qëndrimi ynë për Venezuelën; unë iu përgjigja se ky është qëndrimi zyrtar, se ne kemi një Kushtetutë, jemi kundër ndërhyrjeve ushtarake”, tregoi ajo.
Pak më herët në platformën X, presidentja meksikane kishte njoftuar se kishte ”diskutuar për disa çështje” me Donald Trumpin, ”përfshirë sigurinë me respektimin e sovraniteteve tona, uljen e trafikut të drogës, tregtinë dhe investimet”./ /Ad.Ab./ a.jor.