E Diel, 1 Nëntor 2026

MEPJ: Habermas zë i fuqishëm i demokracisë evropiane, mbrojti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, reagoi sot për ndarjen nga jeta të filozofit dhe sociologut gjerman, Jurgen Habermas.

MEPJ thekson se Habermas, mbrojti të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke theksuar se askush nuk duhet të braktisë viktimat përballë dhunës dhe padrejtësisë.

“Është ndarë sot nga jeta në moshën 96-vjeçare, filozofi dhe sociologu i madh gjerman Jürgen Habermas, një nga mendimtarët më me ndikim të kohës sonë.

“Si një zë i fuqishëm i debatit publik dhe i demokracisë evropiane, ai mbrojti si pak kush të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe në këtë kuadër, edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, me bindjen se askush nuk duhet t’i braktisë viktimat përballë dhunës dhe padrejtësisë”, njoftoi MEPJ.

Sipas MEPJ-së “trashëgimia e tij filozofike dhe morale do të mbetet një referencë e rëndësishme për mendimin kritik, demokracinë dhe përgjegjësinë ndërkombëtare në çdo kohë”.

I konsideruar gjerësisht si një intelektual i shquar evropian i shekullit XX, veprat e tij kryesore u botuan në Frankfurt, ku karriera e tij filloi në vitet 1950 në “Institutin për Kërkime Sociale” nën drejtimin e filozofit, Theodor W. Adorno.

Habermas lindi në Dussedorf më 18 qershor 1929 dhe studioi filozofi, psikologji, letërsi gjermane dhe ekonomi në Gotingen, Zyrih dhe Bon.

Analiza e tij politike ndihmoi në formësimin e klimës intelektuale të Gjermanisë pas luftës, duke filluar me botimin e “Transformimi Strukturor i Sferës Publike” në vitin 1962.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›