MEPJ prezanton ndryshimet në ligjin “Për Diasporën”, komisioni parlamentar miraton draftin pas diskutimeve

Komisioni parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën i ka hapur rrugë sot ndryshimeve të reja ligjore që prekin organizimin dhe marrëdhëniet me diasporën shqiptare.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë, nën drejtimin e kryetares së komisionit, Ina Zhupa, u shqyrtua dhe u miratua Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018 “Për Diasporën”, të ndryshuar”.
Për të mbrojtur dhe shpjeguar ndryshimet e propozuara nga ekzekutivi, në komision ishin të ftuar përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Zëvendësministrja Vilma Premti, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Armand Skapi dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD), Ermonela Xhafa, prezantuan objektivat e këtij projektligji.
Në rolin e relatorit, deputeti Skënder Pashaj paraqiti para kolegëve detajet teknike dhe nevojën për këto ndërhyrje ligjore.
Mbledhja u shoqërua me pyetje dhe diskutime nga anëtarët e komisionit lidhur me efektet që do të kenë këto ndryshime. Në përfundim të debatit, Komisioni vendosi të miratojë projektligjin në të gjitha hallkat e tij: në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Me këtë miratim, ndryshimet në ligjin “Për Diasporën” bëhen gati për t’u kaluar për votim në seancën plenare të Kuvendit.
/rtsh.al/