METEO – Bosnjë-Hercegovina përfshihet nga reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bore

SARAJAVË, 7 janar /ATSH/- Bosnjë-Hercegovina është goditur nga reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bore, kryesisht në rajonet veriore, sipas “TIP.ba”.
Trashësia e borës në Bosnjën lindore dhe pjesën qendrore arriti 10-20 centimetra, ndërsa në zonat malore deri në 35 centimetra.
Reshjet e borës kanë mbuluar jugun dhe jugperëndimin e vendit me temperatura deri në minus 13 gradë Celsius.
Meteorologët në Bosnjë-Hercegovinë paralajmëruan se kushtet e motit të paqëndrueshëm do të vazhdojnë në ditët në vijim, veçanërisht në zonën e Hercegovinës jugore.
Sipas tyre, sasia intensive e reshjeve në nivel lokal, mund të ndërlikojë më tej problemet ekzistuese në terren.
Temperatura jashtëzakonisht të ulëta, parashikohen kryesisht në rajonet malore me temperatura minus 20 gradë Celsius.
Në rajonet e poshtme të Bosnjë-Hercegovinës, temperaturat mund të ulen në minus 15 gradë Celsius..
Për shkak të reshjeve të shiut dhe të ftohtit që po vjen, qytetarëve u këshillohet të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në zonat e prekura nga shiu dhe bora e rrëmbyeshme, por edhe për shkak të pasojave të mundshme të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta në ditët në vijim. //a.i/