METEO – Katër viktima nga moti i keq në Francë dhe Spanjë

PARIS, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë së fuqishme që ka përfshirë jugperëndimin e Francës dhe Spanjën, njoftuan autoritetet të premten.
Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, deklaroi për televizionin “TF1″ se një burrë humbi jetën teksa po ngjitej në një shkallë në kopshtin e tij në rajonin Tarn-et-Garonne.
Vdekja e tij pason atë të një shoferi kamioni, i cili gjithashtu humbi jetën në Francë gjatë stuhisë.
”Ndërkohë, një tjetër drejtues mjeti humbi jetën pasi makina e tij doli nga rruga në fshatin Crossac, pranë bregdetit Atlantik, dhe u përmbyt në terren të mbuluar nga uji”, raportoi transmetuesi” France 3″.
Sipas zyrtarëve franceze, 26 persona të tjerë janë plagosur në incidente të lidhura me motin e keq.
Shërbimi meteorologjik” Météo France” bëri të ditur se 25 rajone mbeten nën alarm portokalli ose të kuq për mot të rrezikshëm. Janë raportuar përmbytje dhe ndërprerje të qarkullimit, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik të lartë ortekësh në zonat malore.
”Rreth 450 mijë persona vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Brigada e zjarrfikësve ka ndërhyrë në rreth 4 500 raste emergjente”, shtoi Bregeon.
Në Spanjë, një grua 46-vjeçare ndërroi jetë në spital pasi pësoi lëndime të rënda nga shembja e një çatie në Barcelona të enjten, raportoi gazeta ”La Vanguardia”, duke cituar autoritetet.
Sistemi i ri i presionit të ulët ka sjellë erëra të forta në Spanjë, veçanërisht në jug të vendit, si dhe reshje të dendura shiu dhe dëbore./ /Ad.Ab./ a.jor.