METEO – Verilindja e SHBA-së rrezikohet nga stuhia e borës, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në disa qytete

NJU JORK, 23 shkurt /ATSH/- Zyrtarët në Nju Jork dhe Nju Xhersi kanë paralajmëruar banorët për një stuhi dimërore potencialisht historike që pritet të godasë Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara te Amerikes, sipas “NBC News”.
Meteorologët parashikojnë reshje intensive bore, erëra shumë të forta dhe kushte të rrezikshme udhëtimi në disa shtete.
Rreth 35 milionë banorë janë paralajmëruar për stuhi bore nga Maryland deri në New Hampshire.
Në disa zona priten deri në 60 centimetra borë, ndërsa reshjet mund të arrijnë ritme prej 5–10 centimetra në orë, të shoqëruara me erëra që mund të kapin shpejtësi deri në 110 km/orë.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shpalli ndalim qarkullimi duke nisur nga e dje në mbrëmje dhe gjendjen e emergjencës, ndërsa shkollat do të qëndrojnë të mbyllura të hënën – dita e parë tradicionale e pushimit për shkak të borës që nga viti 2019.
Gjendja e emergjencës është shpallur edhe në Masaçusets, ku shkollat në Boston do të mbyllen. Reshje të dendura priten edhe në Filadelfia dhe Uashington.
Autoritetet në Nju Xhersi kanë paralajmëruar për borë të rëndë dhe të lagësht, e cila, e kombinuar me erërat e forta, mund të rrëzojë pemët dhe linjat elektrike.
Transporti publik është pezulluar pjesërisht, ndërsa mbi 3 000 fluturime janë anuluar dhe mijëra të tjera janë vonuar, veçanërisht në aeroportet, “John F. Kennedy International Airport”, “LaGuardia Airport” dhe “Newark Liberty International Airport”.
Ekziston gjithashtu rrezik për përmbytje bregdetare nga Atlantic City deri në Maine, me nivele uji që mund të arrijnë deri në një metër mbi nivelin normal në disa zona.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa moti pritet të përmirësohet gradualisht pas së hënës. //a.i/