MIE: 6 ekskavatorë dhe 2 fadroma të angazhuara për hapjen e rrugës Librazhd-Qafë Thanë

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëri me dije se kompania kontraktore e mirëmbajtjes së aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë dhe ARRSh janë angazhuar për zhbollikimin e pjesës së bllokuar në fshatin Dragostunjë.
Në një njoftim për mediet, MIE informon se në segmentin Librazhd-Përrenjas, rreth 3 km larg Librazhdit, në fshatin Dragostunjë, si rezultat i rreshjeve të dendura është shkëputur një masiv dherash dhe shkëmbinjsh nga shpati i sipërm i hekurudhës duke bllokuar totalisht hekurudhën dhe rrugën poshtë saj.
Sipas MIE-s, menjëherë kontraktorët janë angazhuar me 6 ekskavatorë, 2 fadroma dhe punonjës për hapjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Arsyet e kësaj situate lidhen me reshjet e dendura te javëve të fundit dhe erozionin e theksuar të shpatit mbi rrugë”, thuhet në njoftim.
MIE informon se paralelisht me pastrimin e materialit të rënë po bëhet edhe çmontimi i masivit që ka lëvizur dhe që është i paqëndrueshëm, duke shmangur një rrezik të mundshëm për rënie të mëtejshme.
Ndërsa, ARRSH kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdorueseve të mjeteve për vonesat e shkaktuar nga kjo ndërhyrje e domosdoshme për zhbllokimin e rrugës.
Prej tri orësh, aksi rrugor Librazhd – Qafë Thanë ishte i bllokuar për shkak të rrëshqitjes të masivit të dherave, duke penguar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.
/e.i/j.p/