MIE: Situata në rrugë, energji dhe ujësjellës drejt normalizimit

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) bën të ditur se reshjet që kanë përfshirë gjithë vendin gjatë 48 orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në disa akse rrugore, furnizimin me energji elektrike dhe furnizimin me ujë.
MIE informoi se grupet e punës kanë ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika për të rikthyer normalitetin në të gjithë territorin.
Sa i përket rrugëve, disa akse janë prekur nga rënie gurësh dhe inertesh. Në rajonin verior problematika janë shfaqur në Bajram Curri-Valbonë, Dushaj-Lekbibaj, Sopot-Kërranjë, Qafë Mali-Fierzë, Ura e Fanit, Rrëshen-Shpal, Shpal-Fushë-Arrëz, Qafë Dushk-Sevaster, Kukës-Shishtavec, Shpal-K/Hadroj, Kukës-Krumë, Skuraj-Burrel, Peshkopi-Vasije dhe Ura Bujan-Qafë Morinë.
Në rajonin qendror problematika u shfaqën në Pezë-Helmës dhe kryqëzimin e Mulletit, ndërsa në rajonin jugor janë prekur Qukës-Qafë Plloçë, Maliq-Lozhan, fshati Vajzë, Kosinë, Vuno, Berat-Ballaban, Memaliaj-Tepelenë, Përmet-Tre Urat dhe Lekël-Këlcyrë.
Megjithatë, MIE deklaroi se qarkullimi ka vijuar, të gjitha akset janë të hapura, ndërsa kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren 24/7 për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Furnizimi me energji elektrike ka pësuar ndërprerje të përkohshme në 17 fidera për shkak të motit të keq. Nënstacioni Kajan në Belsh është jashtë pune si pasojë e shkarkesave atmosferike, duke sjellë avari në pajisjet 10 kV.
MIE thekson se puna për zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara ka nisur menjëherë.
Ndërkohë, rrjeti i transmetimit funksionon normal në të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, dhe brigadat e linjave dhe nënstacioneve mbeten në gatishmëri të plotë.
Situata në kaskadën e Drinit monitorohet me kujdes. Prurjet natyrore aktualisht janë rreth 2300 m³/s në HEC Fierzë, 1150 m³/s në HEC Koman dhe 400 m³/s në HEC Vau i Dejës.
“KESH po menaxhon situatën hidrike në mënyrë të sigurt dhe efikase”, deklaroi MIE.
Lidhur me furinizmin me ujë të pijshëm në vend, MIE bën të ditur se paraqitet kryesisht e normalizuar. Në rajonin e Lezhës situata është normalizuar plotësisht, ndërsa në Durrës situata është drejt normalizimit, me përmirësim në zonat e ish-Kënetës dhe të ish-NISH Tulla.
Në rajonin e Kukësit, disa burime furnizuese me ujë të pijshëm vazhdojnë të jenë të turbulluara.
Portet e vendit po funksionojnë normalisht. Në Portin e Durrësit puna vazhdon pa probleme, ndërsa trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka mbërritur dhe është nisur sipas parashikimit.
Lëvizja e mjeteve të vogla në Gjirin e Vlorës vazhdon të jetë e pezulluar. Në Portin e Sarandës situata paraqitet e qetë dhe trageti i linjës me Korfuzin ka vijuar normalisht operimet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thekson se punonjësit dhe grupet e emergjencës janë të angazhuar 24/7 në të gjithë vendin dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar rikthimin e plotë të normalitetit dhe sigurinë e qytetarëve.
1 nga 4/r.e/a.f/