E Hënë, 2 Nëntor 2026

MIE-UPT marrëveshje për praktika të paguara pune, Balluku: Disa sektorë kërkesë për burime njerëzore

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT) firmosën sot një marrëveshje, e cila hap rrugën për praktika të paguara pune për studentët, në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se kjo marrëveshje është një tjetër hap konkret për përgatitjen profesionale të të rinjve dhe një investim i drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor, në funksion të kërkesave të tregut dhe proceseve të integrimit në Bashkimin Europian.

“Vetëm gjatë periudhës 2024–2025 kemi hapur një nga programet më të mira të praktikave. Kemi patur 225 aplikime për 60 vende për inxhinierë dhe elektriçistë. Sot janë hapur edhe 223 aplikime të reja për një grup të dytë praktikantësh”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se industria e rëndë, transporti, energjia dhe sektori minerar kanë sot një kërkesë të jashtëzakonshme për burime njerëzore të kualifikuara.

Ajo nënvizoi se qeveria shqiptare po investon fort për formimin profesional dhe integrimin e studentëve në projekte konkrete, si në sektorin e aviacionit, atë detar dhe energjetik.

“Kemi nevojë për inxhinierë, teknikë, juristë, ekonomistë dhe profesionistë të rinj që jo vetëm të jenë të aftë, por të trajnuar dhe certifikuar sipas standardeve të BE-së. Vetëm kështu mund të garantojmë zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Balluku.

Sipas marrëveshjes, faza e parë e programit parashikon përfshirjen e 10 studentëve me kohë të plotë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërsa faza e dytë do të vijojë me 15 studentë të tjerë. Kohëzgjatja e praktikës do të jetë 6 muaj për të diplomuarit dhe 3 muaj për studentët në vit të fundit, duke u përshtatur me kurrikulën universitare.

Studentët do të përfshihen në sektorë të ndryshëm të ARRSH-së dhe do të kryejnë vizita javore në terren, për të njohur nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e urave, tuneleve dhe segmenteve të reja rrugore.

Balluku vuri në dukje edhe rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në këtë program, duke e cilësuar barazinë gjinore si një nga komponentët thelbësorë të tij.

“Banka Botërore, e cila është financuese e këtij programi e ka një nga komponentët më të rëndësishëm barazinë gjinore. Ne iu shpjeguam që në industrinë e rëndë, transport apo energji, në Shqipëri, ka shumë gra e vajza që kontribuojnë”, theksoi Balluku.

Sipas saj, marrëveshja e sotme nuk është vetëm një bashkëpunim institucional, por një dritare reale mundësish për të rinjtë shqiptarë.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›